Bedër firmos marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin e Kalifornisë në Pensilvani

 
Një delegacion i Universitetit Hëna e Plotë “Bedër”, i kryesuar nga Rektori Dr. Ferdinand Gjana, ishte ftuar të marrë pjesë në Kongresin e Katërt Ndërkombëtar mbi tendencat në edukimin e lartë me temë: “Sipërmarrja Akademike” i mbajtur në Stamboll më 6 - 7 Qershor 2014. Kongresi, ku merrnin pjesë rektorë dhe drejtues të lartë të mbi 300 universiteteve nga 45 shtete, është organizuar nga Shoqata Ndërkombëtare e Universiteteve. 
 
Gjatë kongresit, Dr. Gjana zhvilloi një sërë takimesh me rektorë dhe drejtues të lartë të universiteteve të ndryshme ku u diskutuan mundësitë e bashkëpunimit reciprok në programet arsimore dhe aktivitetet kërkimore, iniciativat akademike, programet e trajnimit, dhe shkëmbimin e eksperiencave.
 
Një takim i frytshëm u realizua edhe me delegacionin e Universitetit të Kalifornisë në Pensilvani, të kryesuar nga Presidentja e këtij universiteti Zj. Geraldine M. Jones me të cilën u nënshkrua një marrëveshje bashkëpunimi, që synon thellimin e marrëdhënieve mes dy institucioneve. Pas nënshkrimit, palët shprehën vullnetin për të vënë në jetë, sa më shpejt që të jetë e mundur, mundësitë e bashkëpunimit që ofron kjo marrëveshje. 
 
Rektori i Universitetit “Hëna e Plotë” (Bedër), Dr. Ferdinand Gjana u shpreh se firmosja e kësaj marrëveshje hap rrugën e bashkëpunimit në fushën e përbashkët akademike dhe kërkimore duke krijuar mundësi të reja për studentët dhe stafin e të dy palëve. Marrëveshja e nënshkruar ndërmjet dy universiteteve përfshin shkëmbimin e stafit akademik dhe të studentëve, organizimin e konferencave të përbashkëta dhe koordinimin e projekteve të përbashkëta në fushën e kërkimit shkencor si dhe vizitave të shkurtra akademike.
 
Kongresi i Katërt Ndërkombëtar mbi "Tendencat në edukimin e lartë" kishte qëllimi që të sigurojë një forum unik ndërkombëtar për të diskutuar parashikimet dhe tendencat e reja të Universitetit inovative dhe sipërmarrës në botë. 
Ai synon gjithashtu të shqyrtojë problemet themelore dhe sfidat e arsimit të lartë, dhe u mbyll me disa zgjidhje inovative.