Bedër vlerëson me titullin “Doctor Honoris Causa” z. H. Selim MUÇA, Kryetar Nderi i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë

Shkolla e Lartë “Hëna e Plotë” Bedër, zhvilloi ceremoninë e dhënies së titullit “Doctor Honoris Causa” për z. H. Selim MUÇA, Kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë përgjatë viteve 2004 – 2014.

Ky aktivitet mboldhi sëbashku përfaqësues të komuniteteve fetare nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia, përfaqësues të trupit diplomatik me seli në Tiranë, përfaqësues të shumtë të medias si dhe akademikë dhe personalitete të ndryshëm të kulturës dhe artit shqiptar.

Në fjalën e tij përshëndetëse Rektori i Bedër, Prof. Dr. Ferdinand Gjana, vlerësoi lart figurën e Kryetarit të Nderit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, për vlerat dhe kontributin e tij në promovimin e besimit, harmonisë dhe tolerancës ndërfetare në vendin tonë. Po ashtu, ai nuk la pa përmendur kontributin e z. Muça në themelimin e institucionit që ai përfaqëson.

“Ishin vizioni, objektivat dhe puna këmbëngulëse e tij që u arrit në vitin 2011, hapja e këtij institucioni të arsimit të lartë, në përbërje të të cilit është edhe Departamenti i Shkencave Islame. Duke bërë të mundur arsimimin e plotë brenda Shqipërisë, të të gjithë të rinjve që duan të formohen në fushën e teologjisë Islame. Jam i bindur se ky kontribut është dhe do të vazhdojë të mbetet pjesë e historisë së këtij institucioni”- tha ai.

Ndërsa Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë z. Skënder Bruçaj, gjatë fjalës së tij përshëndetëse e vuri theksin mbi bashkëpunimin ndër vite të komuniteteve fetare islame në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni. Sipas tij, fryti i bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet këtyre institucioneve po e zhvillon gjithmonë e më tej përfshirjen e besimit islam në edukim, kulturë e në fusha të gjera të shoqërisë. Në këtë aspekt, ai e vlerësoi z. Muça si një misionar që duhet marrë shembull në kontributin e tij.

“Për mua është nder të pasoj drejtimin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë pas dy personaliteteve të shquara të besimit islam si, Hafiz Sabri Koçi dhe H. Selim Muça”- përfundoi ai.

Në nder të figurës së kryetarit të nderit të komunitetit mysliman, foli gjithashtu edhe Kryegjyshi Botëror i Bektshinjve Baba Edmond Brahimaj si dhe Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës z. Naim Tërnava. Ata ndanë me të pranishmit kujtime të vyera të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve që përfaqësojnë dhe Komunitetit Mysliman nën drejtimin e H. Selim Muçës.

Më tej Prof. Asoc. Dr. Rahim Ombashi lexoi para të pranishmëve recensën akademike të titullit “Doctor Honoris Cusa”.

Në fund të ceremonisë Prof. Dr. Ferdinand Gjana, i dorëzoi Kryetarit të Nderit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë z. Haxhi Selim Muça, çmimin “Doctor Honoris Cusa” me motivacionin për kontribut të shquar në ngritjen e vlerave të besimit dhe të forcimit të harmonisë dhe bashkëjetesës mes besimeve të ndryshme në Shqipëri.