Ceremonia e hapjes së vitit akademik 2014 - 2015

Universiteti Hëna e Plotë Bedër hapi sot dyert e vitit të ri akademik 2014 – 2015 në një ceremoni mirëseardhjeje në ambjentet e këtij institucioni.

Të pranishëm në këtë eveniment ishin stafi akademik dhe administrativ i Bedër si dhe një numër i konsiderueshëm studentësh aktualë dhe të ftuar.

Në fjalën e tij përshëndetëse Rektori i Universitetit Bedër Dr. Ferdinand Gjana vuri theksin mbi rëndësinë që ka zgjedhja e një universiteti të mirë në formimin profesional të çdo individi. Gjithashtu ai siguroi studentët në gatishmërinë dhe përkushtimin e stafit përgjatë gjithë vitit akademik dhe shprehu vullnet se ky brez do të jetë po aq  i suksesshëm sa brezat e mëparshëm.

“Duke shprehur bindjen e thellë dhe besimin e plotë se ju keni bërë zgjedhjen e duhur për të vazhduar studimet në Universitetin BEDËR, ju uroj një fillim të mbarë të vitit dhe realizim të ëndrrës suaj”- përfundoi Dr. Gjana

Tashmë në vitin e 4-rt akademik Bedër vjen në fushën e arsimit të lartë me një imazh besueshmërie dhe cilësie të lartë e cila bën të mundur të renditet përkrah  universiteteve  më elitare si brenda ashtu edhe jashtë Shqipërisë.

Pas diplomimit të brezit të parë të studentëve dhe punësimin e 85 % të tyre Bedër vulosi kështu cilësinë dhe seriozitetin në fushën e arsimit të lartë në Shqipëri.