Konkurset ndërkombëtare, studentët e drejtësisë priten në Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë

Studentët e drejtësisë në Universitetin “Hëna e Plotë” (Bedër), të cilët do të marrin pjesë në konkurset ndërkombëtare “Jessup” në Washington dhe “ICC” në Gjykatën Ndërkombëtare të krimeve në Hagë, u priten sot në një takim nga Kryetari i Gjykatës Kushtetuese z.Bashkim Dedja dhe nga Kryetari i Gjykatës së Lartë, z.Xhezair Zaganjori. Në takimin me drejtuesit e lartë të gjykatave studentët u shoqëruan nga Rektori i Universitetit “Hëna e Plotë” (Bedër), z.Ferdinand Gjana.

Ky takim u zhvillua në kuadër të konkurseve ndërkombëtare ku studentët e programit bachelor në drejtësi do të përfaqësojnë Shqipërinë.

Gjatë bashkëbisedimit me studentët, z.Dedja u fokusua tek teknika legjislative dhe i këshilloi studentët profesionalisht nga ana teorike e profesionit. Gjithashtu ai theksoi se pjesëmarrja në këto konkurse me famë botërore ishte pritur me kënaqësi dhe i uroi studentëve suksese dhe një përfaqësim sa më të denjë të vendit tonë.

Ndërsa, z.Zaganjori ndau me studentët eksperienca gjatë karrierës së tij. Njëkohësisht, ai motivoi studentët për më tepër punë dhe ambicje në profesionin që ata kanë zgjedhur. Ai u ndal gjithashtu në rëndësinë dhe përgjegjesinë që ka përfaqësimi i Shqipërisë në të tilla kompeticione ndërkombëtare duke i përgëzuar studentët dhe shprehu mbështetjen e tij të plotë në këtë aspekt.

Ftesa në drejtim të studentëve nga ana e Kryetarëve të këtyre dy gjykatave erdhi menjëherë pas lajmit se Shqipëria, për herë të parë do të përfaqësohet në konkursin “Jessup” në Washington dhe “ICC” në Gjykatën Ndërkombëtare në Hagë nga studentët e Universitetit “Hëna e Plotë” (Bedër).