Mundësi bashkëpunimi me Universitetin e Arteve

Rektori i  Universitetit Universiteti Hëna e Plotë Bedër priti në një takim rektorin e Universitetit  të Arteve, Prof. Dr. Petrit Malaj. Dy institucinet hedhin kështu hapin e parë drejt një bashkëpunimi të plotë në fusha me interes të përbashkët.

Gjatë vizitës, kreu i  Universitetit të Arteve shprehu kënaqësinë për realizimin e kësaj vizite ndërkohë që përgëzoi homologun e tij Gjana për punën e realizuar në krye të “Bedër”. Ai theksoi se në pak vite ky institucion ka arritur të krijojë një imazh shumë pizitiv në publik. Sipas  profesor Malajt ky fakt tregon se universiteti Bedër është një investim serioz në fushën e arsimit universitar në Shqipëri dhe që synon të japë një kontribut domethënës në këtë drejtim.

Nga ana e tij, Dr. Ferdinand Gjana shprehu kënaqësinë për vizitën dhe theksoi se Universiteti Hëna e Plotë Bedër në pak vite ka arritur të konsolidojë një profil të qartë të një institucioni cilësor që synon të ofrojë për të rinjtë shqiptarë dhe të huaj një alternativë cilësore për arsimim. Ai u ndal gjithjashtu dhe në rëndësinë që Bedër i kushton kërkimit shkencor duke nënvizuar faktin se tashmë 5 konferenca ndërkombëtare në vit, po krijojnë një traditë mjaft positive.