Ndahen çmimet fituese të Konkursit të 3-të mbi Esenë për të Rinjtë në Gjuhën Angleze

Departamenti i Gjuhës dhe Letërsisë Angleze në Universitetin Bedër, në bashkëpunim me Këshillin Britanik në Shqipëri, zhvilluan sot ceremoninë e ndarjes së çmimeve fituese për Konkursin e tretë mbi Esenë për të Rinjtë në Gjuhën Angleze, (YCEEC).

Pas 3 edicioneve të suksesshme të kësaj platforme, konkursi konfirmon sërish objektivin e tij, atë të promovimit të të lexuarit, të shprehurit dhe krijimtarisë së të rinjve, duke vlerësuar kështu përsosmërinë e zhvillimit të frazës dhe imagjinatës.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Përgjegjësi i Departamentit të Gjuhës dhe Letërsisë Angleze, Dr. Mahmut Terci, pohoi se studentët e sotëm janë politikëbërësit e së ardhmes. Duke promovuar aftësitë organizative dhe ndarjen e përvojave të tyre me njëri-tjetrin, çdo ditë e më shumë ata tregojnë potencialin e vet si në vendin e tyre ashtu dhe jashtë tij.

Tema këtij edicioni ishte: "Një nga të drejtat themelore të njeriut është përftimi i informacionit sa herë nevojitet. Megjithatë, kjo nevojë shfaqet disi e tepruar në  botën e sotme duke rezultuar në efekte anësore të një informacioni të papërshtatshëm, të tepërt dhe të pavlerë i njohur edhe si Ndotje e Informacionit e cila mund të ketë efekt negativ në veprimtarinë tonë të përditshme dhe të manifesohet në një morì formash të ndryshme."

Kështu vendi i parë, i dytë dhe i tretë u fituan përkatësisht nga nxënësit: Joana LAME, Pegi KOÇI dhe Fiona MANJA të cilat morën si çmim nga një iPad. Ndërsa pjesëmarrësit e tjerë u vlerësuan me certifikata pjesëmarrjeje.