Pedagogët e Bedër, pjesëmarrës në Samitin e Stambollit

Përfaqësues të Universitetit Hëna e Plotë (Bedër) së bashku me disa përfaqësuese të shoqërisë civile dhe pushtetit ekzekutiv morën pjesë në Samitin e Stambollit me temë “Perspektivat e grave në axhendën e zhvillimit të OKB-së pas 2015.” 

Ky samit u organizua nga Fondacioni i Gazetarëve dhe Shkrimtarëve në bashkëpunim me Platformën e Abantit dhe Grave në Turqi. Duke synuar kontribuimin në objektivat e zhvillimit të OKB-së pas vitit 2015 dhe ndërgjegjësimin e të gjitha shoqërive në mbarë botën.

Më specifikisht, ky aktivitet krijoi mundësinë për hapjen e rrugëve të reja drejt perspektivave dhe opinioneve të propozuara mbi qëllimet e zhvillimit social duke bashkuar rreth 600 gra pjesëmarrëse nga më shumë se 40 vende të botës. Përkatësisht gra përfaqësuese të OSHC-ve dhe parlamentare të fushave të ndryshme.

Një pikë tjetër e këtij samiti ishte edhe krijimi i mundësive për formimin e rrjeteve dhe ndarjes së eksperiencave mes OJQ-sh nga e gjithë bota duke shprehur idetë, politikat dhe punën e tyre në lidhje me temën e samitit.

Referues të ndryshëm trajtuan përgjatë gjithë samitit tema të ndryshme si: “Eleminimi i varfërisë”, “Fuqizimi i gruas”, “Shëndeti”,  “Arsimi”, “Mjedisi”, “Ndryshimi i klimës dhe energjia”, “Sigurimi i ushqimit, ujit dhe higjena”, “Zhvillimi i ekonomisë”, si dhe “Paqja dhe mirëqeverisja”.