Projekti, Bedër mbështet fëmijët e qytetit të Elbasanit

Universiteti Hëna e Plotë (Bedër) dhe Bashkia e qytetit të Elbasanit realizuan projektin e parë në fushën e edukimit. Ky projekt vjen në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit që kanë këto dy institucione me njëri tjetrin.

Rreth 25 fëmijë të moshave 10 – 16 vjeç që vijnë nga familje me asistencë sociale përfituan nga kursi 3 mujor i gjuhës angleze. Ky grup fëmijësh që u pajisën me certifikatat përkatëse, falë përkushtimit dhe mbështetjes së pedagogëve të Universitetit Bedër arrijnë kështu një sukses sado të vogël në edukimin e tyre.

Kryetari i Bashkisë Elbasan z. Qazim Sejdini pasi falenderoi universitetin për mbështetjen e dhënë në këtë projekt, e vlerësoi bashkëpunimin mes dy institucioneve si një model bashkëpunimi ndërmjet të gjithë institucioneve në vendin tonë, qofshin ato publike apo private.

Ndërsa rektori i Universitetit Bedër, z. Ferdinand Gjana falenderoi bashkinë Elbasan për gatishmërinë e treguar në realizimin e këtij projekti dhe u shpreh i hapur për vazhdimësinë e dhe konkretizimin projekteve të mëtejshme me këtë bashki.

“Gjatë kohës së firmosjes së marrëveshjes ne i propozuam kryetarit të bashkisë disa projekte ndër të cilat z Sejdini zgjodhi edukimin, kjo gjë tregon vizionin që ka kjo bashki për të investuar në drejtim të arsimimit të brezave të rinj”- tha z. Gjana gjatë fjalës së tij.

Ky ishte projekti i parë që konkretizohet me Bashkinë Elbasan, pasi në një të ardhmë të afërt, në kuadër të përgjegjësisë sociale dhe kontributit në shoqëri që është edhe një nga pikat më të forta në vizionin e Universitetit Bedër pritet të konkretizohen projekte të tjera. Kështu në perfundim nxënësit u pajisën me certifikata të nivelit a1 dhe a2.