Reforma Zgjedhore si temë diskutimi ndërmjet Oerd Bylykbashit dhe studentëve të Drejtësisë

Bashkëkryetari i Komisionit Parlamentar për reformën zgjedhore, z. Oerd Bylykbashi, ishte i pranishëm në një bashkëbisedim me studentët e Departamentit të Drejtësisë në kuadër të Reformës Zgjedhore.

I ftuar nga Klubi studentor “Beder Law Academy” fillimisht, z. Bylykbashi bëri një analizë teknike të përgjithshme të sistemeve të ndryshme zgjedhore duke përmendur avantazhet dhe disavantazhet e tyre si në kuptimin doktrinar ashtu edhe në aspektin praktik. Aspekt në të cilin aitrajtoi disa raste konkrete në mënyrë që studentët të ishin më të qartë në ndikimin që ka zbatimi i sistemeve zgjedhore përkatëse në kontekstin politik të vendit tonë.

“Në mendimin tim, reforma zgjedhore në Shqipëri është akoma më e rëndësishme se reforma në drejtësi, duke marrë parasysh situatën politike në të cilën ndodhemi” -tha z. Bylykbashi gjatë prezantimit të ecurisë së deritanishme të kësaj reforme.

Ai u shpreh se për reformën zgjedhore nevojitet një vullnet i fortë nga të gjitha palët politike që të arrihet një reformë efektive dhe për pasojë të shmangen problemet që kanë shoqëruar proceset zgjedhore gjatë gjithë periudhës së tranzicionit.

Ndër të tjera, z. Bylykbashi bëri edhe një prezantim të sfidave dhe problemeve që ka hasur në punën e tij si bashkëkryetar i Komisionit Parlamentar për reformën zgjedhore. Aktiviteti vazhdoi më tej me pyetjet e studentëve ku nuk u la pa u përmendur edhe çështja e korrupsionit e cila ka ndikuar shumë në procesin e zgjedhjeve.