Rëndësia e edukimt të të rinjve në uljen e sjelljeve radikale dhe ekstremizmit të dhunshëm

Përgjegjësi i Departamentit të Shkencave të Komunikimit në Bedër, Doc.Dr. Ramadan Çipuri mori pjesë në Kongresin e Tretë Ndërkombëtar të “Scholas Chair” në Jeruzalem të Izraelit. 
 
Ky kongres, i organizuar në "Hebrew University of Jerusalem" mblodhi sëbashku përfaqësues nga mbi 30 universitete të ndryshme nga e gjithë bota. 
 
Një nga çështjet më të rëndësishme që iu kushtua vëmendje në referimet e pjesërmarrësve ishte rëndësia e edukimit në uljen e nivelit të sjelljeve radikale dhe ekstremizmit të dhunshëm tek të rinjtë e të gjithë botës. Risia e këtij organizmi ishte prezantimi i projekteve konkrete të ndërmarra nga universitete të ndryshme në këtë drejtim.
 
Dr. Çipuri në fjalën e tij prezantoi përpjekjet e Kolegjit Universitar Bedër në luftën kundër radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.
 
Sipas tij, Shqipëria është një nga vendet model përsa i përket dialogut dhe harmonisë ndërfetare. Projekti i iniciuar nga Bedër për bashkëpunimin midis tre shkollave teologjike, asaj islame, katolike dhe ortodokse dhe që u prezantua nga Dr.Çipuri tërhoqi vëmendjen e pjesëmarrësve. Sipas tij, falë një nisme të ndërmarrë nga Departamenti i Shkencave Islame në Bedër, nga viti 2014 e në vijim janë organizuar mbi 20 takime dhe aktivitete të përbashkëta midis tre shkollave fetare, si konferenca, seminare, tryeza të rrumbullakëta, shkëmbime stafesh, takime të përbashkëta midis studentëve, etj.
 
Nisma e dytë që prezantoi Dr. Çipuri ishte Koalicioni i Tolerancës, i themeluar para dy vitesh nga studentët e Bedër në kuadër të projektit “P2P Chalinging Extremism”. Sipas tij, kjo aleancë e cila nisi si një nismë brenda vendit, tashmë është kthyer në rajonale me anëtarë nga Kosova, Maqedonia e më gjerë. Dr.Çipuri propozoi që kjo nismë të kthehet në një organizim të përbashkët me të gjitha universitetet pjesëmarrëse në Kongres, propozim ky që u prit me interes nga pjesëmarrësit.