Sfidat e transmetuesve lokalë dhe rajonalë përballë qasjes online të shërbimeve të tyre

Departamenti i Shkencave të Komunikimit në Bedër në bashkëpunim me Autoritetin e Mediave Audiovizive, Departamentin e Gazetarisë dhe Komunikimit në Universitetin e Tiranës dhe Kolegjin AAB në Prishtinë, organizuan edicionin e dytë të Konferencës Ndërkombëtare në Studimet e Medias dhe Komunikimit me temë: “Sfidat e transmetuesve lokalë dhe rajonalë përballë qasjes online të shërbimeve të tyre”.

Gjatë ceremonisë së hapjes ishin të pranishëm personalitete të ndryshëm nga fusha akademike, përfaqësues të medias dhe gazetarë të shumtë, studiues, rektorë universitetesh, përfaqësues të institucioneve publike e private si dhe një numër i konsiderueshëm studentësh të gazetarisë dhe komunikimit.

Doc. Dr Ramadan Çipuri, Shef i Departamentit të Komunikimit në Bedër njëkohësisht kryetari i kësaj konference, gjatë fjalës së tij përshëndetëse pasi falenderoi të pranishmit për pjesëmarrjen në këtë edicion të ICCMS-së u shpreh entuziast për gatishmërinë dhe besimin e vazhdueshëm me institucionet bashkëpunuese të konkretizuar në platforma të tilla të ngjashme si kjo e sotmja.

Më tej ai ndau me të pranishmit metodologjinë e ndjekur në realizimin e anketave studimore në shërbim të hulumtimit të gjetjeve të reja rreth temës së kësaj konference.

Për të vijuar me Rektorin e Kolegjit Universitar Bedër, Prof. Dr. Ferdinand Gjana, i cili u ndal në 3 komponentët kryesorë të mbarëvajtjes së një institucioni të arsimit të lartë. Sipas tij, cilësia në mësimdhënie, kontributi social si dhe kërkimi shkencor i konkretizuar në konferenca apo aktivitete të tilla të ngjashme janë themelor jo vetëm në jetëgjatësinë e institucionit por edhe të shoqërisë me hedhjen në treg të kuadrove të rinj apo gjetjeve të tilla siç na mundëson konferenca e sotme.

“Rëndësia e këtij projekti qëndron në prekjen e problematikave konkrete të zhvillimeve në fushën e medias në vendin tonë dhe rezultatet do jenë të rëndësishme jo thjeshtë si gjetje shkencore apo si gjetje akademike por gjithashtu për ti kthyer në politika favorizuese në fushën e medias përsa i përket shoqërisë tonë”- u shpreh ai.

Ndërsa Kryetari i Autoritetit të Mediave Audiovizive, (AMA), z. Gentian Sala, ritheksoi edhe një herë bashkëpunimin e fortë prej dy vitesh ndërmjet institucionit që ai drejton dhe Universitetit Bedër.

“Projektet e shumta ndërmjet AMA-s dhe universiteteve pubike e private në këtë fushë janë tregues i qartë i vizionit për të rikonsoliduar aspekte të shumta të medias apo informimit si koncept në tërësi”- tha z. Sala.

Pas tij, ishte radha e Përgjegjësit të Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit në Universitetin e Tiranës, Asoc. Prof.Dr. Mark Marku i cili shprehu kënaqësinë e këtij bashkëpunimi që lidhet nga interesa dhe fusha të përbashkëta ku koordinojnë të dy departamentet. Po ashtu ai theksoi se kjo konferencë është e një rëndësie të veçantë pasi është pjesë e një procesi  që (AMA) ka hapur që prej dy vitesh i cili lidhet me transformimin e sistemit mediatik.

“Institucionet shqiptare duhet të punojnë më shumë me kërkimet në këto fusha në mënyrë që të mos jemi të varur vetëm nga studimet e huaja”- përfundoi ai.

Dr. Hasan Saliu, zëvëndës rektor për kërkimin shkencor në Kolegjin Universitar AAB në fjalën e tij të rastit, pasi përcolli vlerësimet maksimale për këtë organizim, theksoi se bashkëpunimi midis Tiranës dhe Prishtinës sidomos në fushën e medias është i një rëndësie të veçantë edhe pse mund të mos jetë në nivelin e duhur pasi aktualisht nuk kemi asnjë pengesë konkrete për ta thelluar më tej këtë bashkëpunim.

Ndërsa kryetari i komisionit parlamentar për edukimin dhe mjetet e informimit publik z. Genc Pollo, u ndal në rëndësinë që kanë projekte të tilla shkencore në dobinë e përbashkët publike, në përmbushjen e të drejtës së informimit të audiencës në tërësi, në rolin e shëndetshëm të demokracisë dhe kontributin për të përballuar sfidat aktuale të mediave të sotme në vendin tonë.

Më tej ai shprehu shqetësimin personal për përpjekjen e qeversië për të mbyllur portale të caktuara lajmesh dhe profile të ndryshme në median sociale veçanërisht përgjatë fushatave elektorale.

Punimet e konferencës vazhduan më tej në sesione të ndryshme me referimin e dhjetëra studiuesve të ardhur nga Maqedonia, Kosova rajoni e më gjerë.

Ndër temat e shumta që u trajtuan dhe u sollën në fokus përmendim: “Informaliteti në mediat lokale dhe pafuqia rregulluese e autoritetit ligjzbatues”, “Mediat lokale dhe ndikimi i tyre mbi angazhimin qytetar përmes medias sociale”,“Tranzicioni i mediave lokale në Kosovë”, “Maqedonia dhe sfidat e shumëfishta të një tregu mediatik dy-gjuhësor.” etj.