Institucioni i Shërbimit të Provës prezantohet para studentëve të Drejtësisë

Në kuadër të ciklit “Brownbag Seminars”, z. Ilir Qafa, Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit të Provës ishte i ftuari i radhës nga klubi studentor “Bedër Law Academy” në një leksion të hapur ku ndau me studentët dhe të pranishmit pikëpamjet rreth “Rolit dhe Funksionimit të Shërbimit të Provës”.

“Ky institucion ka filluar të prodhojë efekte pozitive, të cilat lidhen në mënyrë të pashmangshme me rehabilitimin e personave në konflikt me ligjin, me uljen e recidivizmit apo zvogëlimin e shpenzimeve ekonomike që shoqërojnë vuajtjen e dënimit pranë institucioneve të edukimit dhe vuajtjes së dënimeve penale” – tha z. Qafa pasi bëri një rezyme të shkurtër të veprimtarisë së institucionit që ai drejton.

Ndër të tjera, Z. Qafa u shpreh për rëndësisnë dhe domosdoshmërinë e bashkëpunimeve të vazhdueshme me gjykatat për përgatitjen e raporteve të vlerësimit në lidhje me kërkesat për dënime alternative nga ana e të dënuarve të cilët vuajnë dënim me burgim apo gjatë dhënies së dënimit, me prokurorinë si dhe me organizatat jofitimprurëse.  Z. Ilir Qafa  theksoi se realizimi me sukses i alternativave të dënimeve me burgim domosdoshmërisht, kërkon impenjim të konsiderueshëm dhe predispozim maksimal të të gjithë aktorëve të sistemit të drejtësisë dhe më gjerë.

Bashkëbisedimi me studentët vashdoi më tej në formën e pyetje – përgjigjeve, ku z. Ilir Qafa analizoi qartë çdo fushë në të cilën studentët treguan interes. Përmendim këtu: dispozitat ligjore të kodit penal të Republikës së Shqipërisë, hapësira ku mund të veprojë Shërbimi i Provës, etj.