Studentët e Departamentit të Drejtësisë përfaqësojnë Shqipërinë në konkursin ndërkombëtar JESSUP

Studentët e Departamentit të Drejtësisë në Universitetin Bedër, përfaqësojnë Shqipërinë për të tretën herë radhazi në konkursin ndërkombëtar Jessup në Washington, i cili konsiston në simulimin e një mosmarrëveshjeje hipotetike ndërmjet shteteve. E gjitha kjo para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, organ gjyqësor i Kombeve të Bashkuara.

Në raundin ndërkombëtar që u mbajt në datat 27 mars – 2 prill në SHBA, këtë vit morën pjesë 132 skuadra nga 80 shtete të ndryshme të botës, ndër ta edhe ekipi i studentëve të Bedër i cili përbëhej nga: Albi Çela, Ermelinda Gjeci dhe Rajmonda Zhuta si dhe nga pedagogët: Gentjan Skara dhe Eni Kokalari.

Grupi i studentëve të lartëpërmendur u përballën në fazën finale të kompeticionit me Hebrew University of Jerusalem, National University of Singapore, L.U.I.S.S. Guido Carli, American University of Sharjah ku dhe arritën rezultate të suksesshme.

Në vazhdimësi të aktiviteteve ndërkombëtare, Departamenti i Drejtësisë do të jetë pjesëmarrës në ICC Moot Court Competition 2016, që zhvillohet nga Universiteti i Leidenit në datat  22 – 27 Maj 2016 në Hagë, Hollandë.