Ministrja Znj. Milena Harito, e ftuar në një bashkëbisedim me studentët e Shkencave të Komunikimit

Znj. Milena Harito, Ministre për Inovacionin dhe Administratën Publike, ishte e pranishme në një leksion të hapur me studentët e Departamentit të Shkencave të Komunikimit, ku bashkëbiseduan rreth kuadrit të ri ligjor për rregullimin e mediave online.

Përpos studentëve dhe pedagogëve të shumtë, në aktivitet ishin të pranishëm Rektori i Universitetit Bedër Prof. Dr. Ferdinand Gjana si dhe Shefi i Departamenti të Komunikimit Dr. Ramadan Çipuri.

Gjatë bashkëbisedimit me studentët Znj. Harito preku disa aspekte të ndryshme të ligjit për mediat online, siç janë ndryshimet që sjell ky ligj në sjelljen dhe veprimet e publikut në mediat dhe portalet në web, identifikimin e çdo shërbimi online, filtrimin automatik të përmbajtjeve të posaçme,  njohja e gjuhës shqipe nga google për platformat e veta të reklamave, furnizimi i portaleve shqiptare me të ardhura shtesë etj. Të gjitha këto me synimin për të forcuar më tej të gjitha portalet shqipfolëse pasi siç konstatohet edhe 3 apo 4 vitet e fundit ato janë zhvilluar së tepërmi.

“Përsa i përket ligjit për tregtinë elektronike, ne nuk po shpikim diçka të re, kjo është një direktivë europiane e cila ekziston në vendet perëndimore, e njëkohësisht është në evolucion të vazhdueshëm, dhe ne, po i përafrojmë zhvillimet e kësaj direktive edhe në Shqipëri”.- tha Znj. Harito.

Aktiviteti vazhdoi më tej me pyetje të shumta nga të pranishmit të cilët u interesuan rreth aspekteve të shumta në lidhje me zhvillimet që do të sjellë ky ligj në termat e informimit online.