Zhvillohet gjyqi imitues i studentëve të Drejtësisë

Klubi studentor “Beder Law Academy” pranë Departamentit të Drejtësisë në Bedër, zhvilloi për të 5-tin vit radhazi gjyqin e improvizuar me studentët e programit bachelor.  

Kazusi i këtij viti kishte të bënte me veprën penale të parashikuar nga neni 283 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë “Prodhimi dhe Shitja e Narkotikëve” e kryer në bashkëpunim.

Gjatë seancës gjyqësore të improvizuar nga studentët, organi i akuzës bëri parashtrimet përkatëse duke evidentuar provat shkresore si dhe thirrjen e dëshmitarëve të cilët qartësuan më tej rrethanat e ngjarjes.

Ndërkohë pala mbrojtëse ngriti pretendimet për pafajësi të të pandehurve duke u mbështetur po ashtu në prova shkresore si dhe në ekspertiza mjekësore.

Në përfundim, gjykata pranoi kërkesën e prokurorisë për dy nga të pandehurit sipas nenit përkatës si dhe shpalli të pafajshëm të pandehurin e mitur.

Ky aktivitet i kthyer tashmë në një traditë  për studentët e këtij departamenti, u zhvillua në prani të një numri të konsiderueshëm studentësh dhe pedagogësh.