“Individi, Shoqëria dhe Zhvillimi i Qëndrueshëm: Nga Globalizmi në Glokalizëm”

Departamenti i Drejtësisë në Universitetin Bedër, në bashkëpunim me Universitetin e Barit, Aldo Moro, zhvilluan sot panelin e diskutimit me temë: “The Individual, The Society and Sustainable Development: From Globalization to Glocalization” (Individi, Shoqëria dhe Zhvillimi i Qëndrueshëm: Nga Globalizmi në Glokalizëm).

Përgjegjësi i Departamentit të Drejtësisë, njëkohësisht moderatori i panelit të sotëm, Dr. Ferdinand Xhaferaj, pasi i uroi mirëseardhjen të pranishmëve dhe i njohu ata me rëndësinë e zhvillimit të kësaj teme, shprehu bindjen dhe besimin që ky është takimi i parë i një rruge të gjatë e të frytshme bashkëpunimi ndërmjet dy universiteteve në fushat e eksperiencave akademike, studentore si dhe të kërkimit shkencor.

Menjëherë pas fjalës së tij ishte radha e Profesor Sebastiano Tafaro, i cili gjatë referimit të tij u shpreh se bota universitare duhet të japë orientim se si duhet të jetë modeli i shtetit në kushtet e reja politiko-ekonomike. Gjithashtu ai u ndal në rolin e të rinjve dhe ndikimi i tyre në krijimin e perspektivës për një demokraci të qëndrueshme.

Ndërsa ish-ministri i Drejtësisë, njëkohësisht ekspert politik, z. Enkelejd Alibeaj theksoi se sistemi i drejtësisë duhet të japë llogari për mënyrën e ushtrimit të funksionit dhe balancimit e ndarjes së pushteteve pasi i vetmi sovran në një shoqëri demokratike, është populli.

Aktiviteti vazhdoi më tej me referimet e panelistëve të tjerë të pranishëm. Po ashtu nuk munguan as pyetjet e shumta nga studentët dhe pedagogët e departamenteve të tjera të cilët i dhanë një formë interaktiviteti panelit të sotëm.