Arbër Çepani dhe Eglent Bici të ftuar në seminarin "Sipërmarrja dhe Sfidat e të rinjve në Shqipëri"

Departamenti i Shkencave të Edukimit organizoi ditën e sotme seminarin me temë "Sipërmarrja dhe Sfidat e të rinjve në Shqipëri".

Të ftuar ishin Arbër Çepani, aktualisht Moderator në RTSH, programi "Mirëmëngjes Shqipëri”, njëkohësisht edhe sipërmarrës, aktivist i shoqërisë civile (UN Women, Albanian Students Abroad Network) dhe fitues i shumë çmimeve kombëtare dhe ndërkombëtare në fushën e sipërmarrjes, inovacionit dhe gazetarisë. I ftuari tjetër ishte Eglent Bici, Themelues/ CEO MEI Realty dhe Trajner Suksesi e Zhvillimi Personal, me një eksperiencë të pasur në sipërmarrje, shitje, marketing dhe inovacion.

Gjatë takimit të ftuarit ndanë me studentët e Bedër eksperiencat e tyre të sipërmarrjes dhe lidershipit, si dhe mënyrat e motivimit dhe zhvillimit personal.

Studentët pjesëmarrës ishin nga departamentet e psikologjisë, edukimit, komunikimit, drejtësisë dhe gjuhës angleze. Në fund të takimit studentët kishin mundësinë që të bashkëbisedonin dhe t’u drejtonin pyetje të ftuarve, për të mësuar më shumë rreth sipërmarrjes dhe si të tejkalojnë vështirësitë e hasura. Duke falenduar të ftuarit, mbetet për t’u vlerësuar se studentët morën doza të mira optimizmi dhe energjie pozitive nga ky takim me dy sipërmarrës të suksesshëm.