Konferenca

Konferenca e Parë Ndërkombëtare në Shkenca Edukimi

Fakulteti i Filologjisë dhe Edukimit në Universitetin Hëna e Plotë-BEDËR në bashkëpunim me Universitetin “Aleksandër Moisiu” Durrës, Universitetin e Prishtinës, Universitetin “Fatih” në Stamboll dhe Qendrën për Arsim Demokratik, organizuan Konferencën e Parë Ndërkombëtare në Shkencat e Edukimit me temë “Sfidat dhe zhvillimi i cilësisë në arsimin e lartë”. Në konferencë studiues dhe akademikë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Turqia dhe vende  të tjera  kanë referuar mbi tema që lidhen me sfidat e arsimit të lartë dhe zhvillimin e cilësisë në këtë fushë. Në ceremoninë e hapjes ishin të pranishëm përfaqësues të institucioneve akredituese në vend, akademikë, studiues si dhe të ftuar të tjerë.

Kryetari i Konferencës, njëkohësisht dhe përgjegjës Dekan i Fakultetit të Filologjisë dhe Edukimit Dr. Ahmet Ecirli (Exhirli), në fjalën e tij përshëndetëse falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen dhe shprehu bindjen se organizimi i kësaj konference, në Shqipëri, është një mundësi për studiuesit dhe akademikët që vijnë nga institucione të ndryshme të arsimit të lartë, që të shkëmbejnë ide dhe eksperienca “Synimi i konferencës është kontributi në përmirësimin e cilësisë në arsimin e lartë, dhe diskutimi i sfidave që shtrohen për zgjidhje në këtë fushë. Jam i bindur se kumtesat e pjesëmarrësve në këtë konferencë do të jenë një burim i vlefshëm për tu marrë në konsideratë si rekomandime për përmirësimin e cilësisë akademike, zhvillimit të infrastrukturës dhe implementimit të teknologjisë në fushën e arsimit të lartë”, u shpreh, Prof. ECirli.

Ndërkohë në fjalën e tij para të pranishmëve, rektori i Universitetit Hëna e Plotë BEDËR, Dr. Ferdinand Gjana theksoi se “Kjo konference organizohet në një moment ku me gjithë problematikat dhe vështirësitë në arsimin e lartë, ligjvënësit dhe akademikët duhet që të përpiqen të krijojnë një sistem arsimor me objektiva të qarta që duhet ti përshtaten tregut të punës dhe konkurrues në aspektin e cilësisë. Të gjithë jemi koshientë se ky proces nuk është shume i lehtë për tu realizuar pasi ai përfshin shumë aktorë dhe kërkon një kohë të caktuar. Që ky proces të realizohet me sukses është e nevojshme që drejtuesit e institucioneve të arsimit të lartë, bota akademike, studentët, prindërit dhe politika, të marrin një rol aktiv në të".

Ai u ndal gjithashtu edhe në rëndësinë që ka fokusimi i aktivitetit të universiteteve në tre shtylla kryesore siç është , procesi mësimdhënës, kërkimi shkencor dhe kontributi në shoqëri.

Në ceremoninë e hapjes përshëndetën gjithashtu edhe Rektori i Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës, Prof. Dr.  Mit’hat Mema, i cili vuri theksin në rëndësinë që ka bashkëpunimi mes universiteteve publike dhe atyre private për të çuar përpara kërkimin shkencor dhe shkëmbimin e dijeve në funksion të rritjes së cilësisë.

Punimet e konferencës i përshëndetën gjithashtu edhe Rektori i Universitetit “Suleyman Shah” në Turqi, Prof. Dr. Huseyin Ekiz, Prof. Dr. Bardhyl Musai, Kryetari i Këshillit të Akreditimit dhe Rektori i Universitetit Europian të Tiranës Prof. Assoc. Dr. Tonin Gjuraj. Gjatë sesioneve të konferencës do të referohen rreth 60 kumtesa nga pjesëmarrësit.

Konferenca e Dytë Ndërkombëtare në Shkencat e Edukimit ‘Teknologjitë e informacionit dhe komunikimit në edukim’ 29 mars 2013

Fakulteti i Filologjisë dhe Edukimit në Universitetin Hëna e Plotë-Bedër në bashkëpunim me Universitetin “ Pamukkale” në Turqi, Universitetin “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit dhe Institutin për Zhvillimin e Arsimit, organizuan Konferencën e Dytë Ndërkombëtare në Shkencat e Edukimit me temë “Teknologjitë e informacionit dhe komunikimit në edukim”. Në konferencë morën pjesë studiues dhe akademikë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Gjermania, Çekia, Turqia dhe vende të tjera të cilët referuan mbi tema që lidhen me përdorimin e teknologjive të informacionit dhe komunikimit në edukimin e brezave të ardhshëm.

Në ceremoninë e hapjes ishin të pranishëm përfaqësues të universiteteve që organizuan këtë konferencë, përfaqësues të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, akademikë, studiues si dhe të ftuar të tjerë.

Kryetari i konferencës, njëkohësisht dhe Dekani i Fakultetit të Filologjisë dhe Edukimit Dr. Ahmet Ecirli ( Exhirli), në fjalën e tij përshëndetëse falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen dhe shprehu bindjen se organizimi i kësaj konference, në Shqipëri, është një mundësi për studiuesit dhe akademikët që vijnë nga institucione të ndryshme të arsimit të lartë, që të shkëmbejnë ide dhe eksperienca dhe të ofrojnë idetë e tyre, në kuadër të shtrirjes së përdorimit të teknologjisë së informacionit në arsim. Ai vuri theksin në rëndësinë që ka marrë përdorimi i këtyre teknologjive në mësimdhënie duke shtuar se Shqipëria përbën një mundësi reale në këtë drejtim. “Unë jam i bindur se pjesëmarrësit dhe referuesit në këtë konferencë kanë potencialin e duhur për të paraqitur ide dhe studime serioze në drejtim të përdorimit të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit në mësimdhënie dhe mësimnxënie. Jetojmë në epokën e teknologjisë dhe duhet të përfitojmë prej saj sa më shumë në mënyrë që të arrijmë standarded më të larta botërore në fushën e arsimit” - u shpreh, Dr. Exhirli.

Ndërkohë në fjalën e tij para të pranishmëve , rektori i Universitetit Hëna e Plotë Bedër, Dr. Ferdinand Gjana theksoi se “Përdorimi dhe integrimi i TIK përbën pjesën kryesore të axhendës së politikave për shoqëritë në zhvillim. TIK konsiderohet sot si një katalizator i rëndësishëm për përshpejtimin e zhvillimit, aftësinë në tërheqjen e investimeve, krijimin e hapësirave në punësim, promovimin e dijes dhe kontributin për inovacionin e një qeverisje cilësore, efiçente dhe transparente. Kur flasim për rolin e TIK në fushën e edukimit nënkuptojmë: përmirësimin e aksesit dhe mundësive të barabarta; përmirësimin e cilësisë së edukimit; përmirësimin e rendimentit në sistemin e edukimit; kontributin në formimin e aftësive të reja.”. Ai u ndal gjithashtu edhe në përgjegjësinë që kanë mësimdhënësit të cilët duke shfrytëzuar teknologjinë, të dalin nga nga korniza e tradicionales, duke krijuar mundësinë e prakticitetit në mësimdhënie.

Sipas tij kjo mund të shërbejë për aftësimin e studentëve për t’iu përgjigjur të gjitha problemeve të reja të krijuara nga zhvillimi i teknologjisë dhe në koherencë me ritmet e shpejta të zhvillimit të kësaj teknologjie. Në ceremoninë e hapjes përshëndetën gjithashtu edhe Rektori i Universitetit Epoka Prof. Dr. Remzi Altun, i cili vuri theksin në rëndësinë që duhet t'i japin institucionet e arsimit përdorimit të teknologjisë.

Punimet e konferencës i përshëndeti gjithashtu edhe drejtoresha e Institutit për Zhvllimin e Arsimit, Dr. Tidita Abdurrahmnani. Gjatë sesioneve të konferencës do të referohen rreth 50 kumtesa nga pjesëmarrësit

Konferenca e tretë ndërkombëtare në Shkenca Edukimi

Departamenti i Shkencave të Edukimit zhvilloi Konferencën e III Ndërkombëtare në “Shkencat e Edukimit” ku ishin pjesëmarrës 141 akademikë nga 24 shtete të ndryshme, me 120 artikuj në 24 – 25 Prill 2014. Në ceremoninë e hapjes ishin të pranishëm zëvendësministrja e arsimit dhe sporteve, znj.Nora Malaj, përfaqësues të Universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, si edhe mjaft akademikë dhe figura publike nga Shqipëria dhe më gjerë.

Departamenti i Shkencave të Edukimit, në Universitetin “Hëna e Plotë” (Bedër) organizoi për të 3-in vit radhazi konferencën ndërkombëtare në shkencat e edukimit. Në konferencë morën pjesë rreth 160 referues nga 20 vende të ndryshme të botës.

Në ceremoninë e hapjes ishin të pranishëm zëvendësministrja e arsimit dhe sporteve, znj. Nora Malaj, përfaqësues të Universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, si edhe mjaft akademikë dhe figura publike nga Shqipëria dhe më gjerë.

Punimet e konferencës u përshëndetën nga dekani i Fakultetit të Filologjisë dhe Edukimit z.Ahmet Ecirli,  i cili gjatë fjalës së tij u uroi mirëseardhjen në këtë aktivitet të gjithë të pranishmëve. Më pas ai bëri një përmbledhje të shkurtër të programit të konferencës dhe e mbylli fjalën e tij duke falënderuar pjesëmarrësit dhe duke shprehur vendosmërinë e fakultetit në aktivitete të tjera të ngjashme.

Zëvendësministrja e arsimit, znj.Malaj përgëzoi Universitetin Bedër për organizimin e konferencave të tilla, që ndikojnë jo vetëm në të mirë të botës akademike, por edhe në të mirë të shoqërisë, pasi janë pikërisht  studentët e ardhmja e shoqërisë. Njëkohësisht ajo bëri një rezyme të shkurtër të kontributit që Universiteti Bedër ka dhënë në këto 3 vjet aktivitet, jo vetëm në arsim, por edhe më gjerë në fusha të tjera të jetës.

Ndërsa rektori i Universitetit Bedër, z. Ferdinand Gjana ndau me të pranishmit rëndësinë dhe frytin që ka organizmi i aktiviteteve të tilla në fushën e edukimit. Gjithashtu ai ofroi mbështetjen e tij dhe shprehu kënaqësinë e organizimit të kësaj konferencë për të 3-in vit radhazi nga Universiteti Hëna e Plotë (Bedër).

Pjesëmarrësit vazhduan më tej me referimet e temave të përgatitura dhe diskutimet në sesione të veçanta. Kjo konferencë do t’i zhvillojë punimet e saj në dy ditët në vijim.