“International Day 2014”, larmi kulturash në ambientet e Universitetit Bedër

Universiteti “Hëna e Plotë” (Bedër) organizoi për të dytin vit radhazi aktivitetin “International Day 2014”. Dekanati i studentëve, në bashkëpunim me klubet studentore, rikthyen sërish atmosferën multikulturore në ambientet e universitetit.

Qëllimi i këtij aktiviteti është njohja dhe promovimi i diversitetit kulturor, njohja me kulturën, traditën dhe historinë e shteteve të ndryshme të botës. Studentët shqiptarë dhe të huaj, që studiojnë në Universitetin “Hëna e Plotë” (Bedër), me përkushtimin e tyre përgatitën stendat promovuese, ku shpalosej një pjesë e kulturës së vendeve të ndryshme.

Rektori i Universitetit Bedër, Dr. Ferdinand Gjana, në fjalën e tij përshëndetëse përgëzoi studentët për organizimin e kësaj dite ndërkombëtare. Ai theksoi rëndësinë që i jep  Universiteti Bedër diversitetit kulturor dhe konsolidimit të profilit ndërkombëtar të universitetit.

Aktiviteti u organizua në stenda ekspozuese të shumta, ku grupe studentësh të ndryshëm promovuan, me suvenire, kostume tradicionale, simbole kombëtare, ushqime më të spikatura dhe elemente të tjera, kulturën dhe traditat e vendit që përfaqësonin.

Në aktivitet ishin të pranishëm përfaqësues të ambasadave të ndryshme në vendin tonë, si  ajo  e Greqisë, Francës, Rumanisë, të cilët u shprehën të impresionuar për angazhimin e studentëve në promovimin e kulturës të shumë shteteve.