Programi Bachelor në Arsim Parashkollor dhe Fillor mundëson arsim dhe edukim për të gjithë ata studentë që janë të interesuar të ndërtojnë karrierën e tyre profesionale në mësuesi në ciklin parashkollor dhe fillor, si dhe ndjehen të motivuar të thellojnë më tej karrierën e tyre si kërkues dhe kontribues shkencorë në fushën e pedagogjisë.
Kohëzgjatja e Studimeve dhe kreditet ECTS
Programi Bachelor në profilin Arsim Parashkollor dhe Fillor zhvillohet në tre vite akademike, përkatësisht në gjashtë semestra. Në përfundim të këtij cikli studimesh dhe për të fituar të drejtën e marrjes së diplomës “Bachelor në Arsim Parashkollor dhe Fillor”studentët duhet të kenë 180 kredite ECTS.
Titulli i Diplomës
“Bachelor në Arsim Parashkollor dhe Fillor”
Objektivat e Programit
Ndër objektivat kryesorë të programit mund të përmendim: pajisjen e studentit me njohuri dhe koncepte bazë të fushës së studimit arsim parashkollor dhe fillor, me aftësi profesionale, me formim qytetar të përgjithshëm, me aftësi bazë për punë kërkimore, me aftësi të përgjithshme praktike dhe të zbatuara, dhe me aftësi për promovim personal. Programi gjithashtu synon arritjen e niveleve më të larta të dijes akademike, kompetencave dhe njohurive të aplikuara për studentët, duke mundësuar që ata të përshtaten me kërkesat e tregut të punës, të ndjehen të përmbushur nga ana personale dhe profesionale dhe të formësohen si qytetarë të denjë të një shoqërie globale dhe dinamike.
Rezultatet e programit
Programi synon të zhvillojë tek studentët:
(1) Aftësi për promovimin e përsosmërisë në mësimdhënie, kërkim shkencor dhe shërbim ndaj komunitetit, nëpërmjet një filozofie arsimimi që ka në thelb vlerat universale.
(2) Aftësi për ndërtimin e marrëdhënieve profesionale të bashkëpunimit me nxënësit dhe të tjerët
(3) Njohje të kurrikulës dhe aftësi për ta planifikuar atë duke respektuar diversitetin e nxënësve dhe në strategjitë e mësidhënies;
(4) Vlerësim sipas kërkesave, standardeve dhe procedurave të miratuara;
(5) Aftësi për të krijuar mjedis mësimor edukativ emocional pozitiv dhe në respekt të etikës profesionale.
Mundësitë e Punësimit
Pas përfundimit të studimeve në Departamentin e Shkencave të Edukimit, programi Bachelor Në Arsim Parashkollor dhe Fillor, studentët:
-Mund të punësohen si mësues të ciklit parashkollor dhe mësues të ciklit fillor në institucione të ndryshme arsimore private dhe publike.
-Mund të punësohen si specialistë arsimi apo anëtarë të strukturave drejtuese të institucioneve arsimore publike dhe private