Workshope

Workshopi Perspektiva ne Sherbimet Psikologjike ne Shkolle

Departamenti i Shkencave të Edukimit, në shkurt të vitit 2014, organizoi Workshopin me temë: Perspektivat në Shërbimet Psikologjike në Shkollë’ ku morën pjesë 60 akademikë të njohur të fushës së edukimit dhe ku u prezantuan dhe u diskutuan rreth 20 artikujt më të përzgjedhur të kësaj fushe.

Me datë 19.02.2014, pranë Shkollës së lartë Hëna e Plotë Bedër. Nga Fakulteti i Filologjisë dhe Shkencave të Edukimit u organizua workshopi ndërkombëtar IËES 2014(1st International Workshop in Educational Sciences) "Perspektiva e shërbimit psiko-social në institucionet arsimore në Shqipëri ".

Workshop-i përbën edicionin e parë të një serie workshop-esh ndërkombëtare në fushën e shkencave të edukimit, organizim ky i cili do të vijojë me takime të tjera konsultative të këtij lloji në fakultetet e Shkencave të edukimit të universiteteve të tjera, në rajon e më gjerë.

Workshop-i u organizua në formën e një tryezë diskutimi dhe konsultimi mes aktorëve të interesuar, mbi perpektivën e shërbimit psiko-social në Shqipëri, sfidat me të cilat përballet ky shërbim aktualisht, dhe qasjet për reformimin e kurrikulave të formimit të psikologëve dhe të punonjësve socialë në institucionet e arsimit të lartë publik dhe privat në përputhje me kërkesat e tregut të punës. I konceptuar si një tryezë rrahje mendimesh dhe shpalosje kontributesh shkencore të profesionistëve të fushës, specialistëve të arsimit, qarqeve akademike dhe kërkuesve të rinj;  në formatin e këtij workshop-i u përfshinë një seancë hapëse plenare, 3  sesione paralele me prezantime dhe diskutime të grupeve të punës dhe një seance përmbyllëse plenare me raportime nga grupet e punës.

Pjesëmarrës në këtë workshop ishin rektorë, dekanë dhe autoritete drejtuese të fakulteteve të edukimit dhe të fakulteteve të shkencave sociale të institucioneve të arsimit të lartë(IAL) publik dhe privat, lektorë dhe përfaqësues të profesoratit të fakulteteve të edukimit, specialistë të arsimit,psikologë shkollorë dhe përfaqësues të shoqërisë civile që merren me çështjet e shërbimit psiko-social.

Në sesionin e hapjes së këtij workshop-i përshëndetën Dr. Ahmet Ecirli, Koordinator i workshopit dhe Dekan i Fakultetit të Filologjisë dhe Edukimit, Shkolla e Lartë "Hëna e Plotë " (Bedër), Dr. Ferdinand Gjana, Rektor i Shkollës së Lartë "Hëna e Plotë " (Bedër), Prof. Dr. Dhori Kule, Rektor i Universitetit të  Tiranës, Prof. Paolo Ruatti, Rektor i Universitetit Katolik, Prof. Dr. Gëzim Dibra, Dekani i Fakultetit të Shkencave të Edukimit, Universiteti Luigj Gurakuqi, Shkodër, Prof. Dr.Vilson Kuri, Dekani i Fakultetit të Shkencave të Edukimit , Universiteti Aleksandër Xhuvani Elbasan, Prof. As Dr. Kseanela Sotirofski  Dekane e Fakultetit të Shkencave të Edukimit, Universiteti Aleksandër Moisiu Durrës, Prof. Dr. Ali Jashari Dekani i Fakultetit të Shkencave të Edukimit, Zëvendësrektor, Universiteti Fan S.Noli Korcë.

Rektorët, dhe autoritetet drejtuese të fakulteteve të edukimit përshëndetën iniciativën e Shkollës së Lartë "Hëna e Plotë " (Bedër) dhe vlerësuan tematikën e përzgjedhur për këtë organizim dhe workshopin si një mundësi e mirë për shkëmbim eksperiencash, vunë theksin te rëndësia e organizimit të aktiviteteve të tilla dhe ndihmesa që universitetet duhet të japin në përgatitjen e individëve të kualifikuar dhe të aftë në jetë, dhe kërkuan që e njëjta frymë shkëmbimi eksperincash akademike të përcillet edhe në fakultetet e tjera në Shqipëri dhe më gjerë.

Pjesëmarrësit dhe kontribuesit në Sesionin e Edukimit ngritën për diskutim çështje të tilla si mungesa e përgatitjes universitare të mësuesve në aspektet psiko-sociale, mungesa e trajnimeve të vazhduara në grupe profesionale për psikologët shkollorë dhe punonjësit socialë, nevoja për forcimin e partneritetit prind-shkollë-punonjës social, nevoja e organizimit të trajnimeve të mësuesve për çështjet psiko-sociale me anë të gjallërimit të rrjeteve të brendshme profesionale , krijimi i hapësirave që mësuesit të përfshihen në ekipe bashkëpunuese në shkollë etj.

Në sesionin e Shërbimeve dhe politikave sociale në institucionet arsimore, u diskutua rreth mangësive të ndryshme të këtij shërbimi në Shqipëri. Pas diskutimit akademikët specialistë të kësaj fushe arritën në përfundimin se për një shërbim psiko-social më efikas është i rëndësishëm formimi i politikave për ekuilibrimin gjinor në insitutcionet e edukimit, formimi i politikave sociale për rimbëkëmbjen e shërbimeve sociale në institucionet arsimore si dhe u parashtrua mungesa e shërbimeve sociale për rimëkëmbjen dhe respektimin e vlerave kombëtare në vendin tonë.

Diskutimet në sesionin e Shërbimit Psikologjik  u fokusuan në gjendjen aktuale të shërbimit psiko-social në arsimin parauniversitar ku  spikatën trajtimi i problematikave të statusit të psikologëve shkollorë, imazhit, rëndësisë dhe njohjes së profesionit të tyre nga komuniteti shkollor. Pjesëmarrësit dhe kontributorët hodhën propozime për njësimin e kurrikulës së degës së psikologjisë në të gjitha fakultetet e edukimit  si dhe vazhdimësinë e këtyre aktiviteteve shkencore dhe kërkimore të ngjashme me aktivitetin e organizuAr nga Shkolla e Lartë Hëna e Plotë-Bedër.

Prezantimet e të ftuarve kontributorë në këtë tryezë konsultimi dhe gjetjet dhe rekomandimet e dala nga punimet e këtij workshop-i do t'i përcillen në formën e një dokumenti rekomandues strukturave politikbërëse në fushën e arsimit dhe në fushën e shërbimit social dhe të publikohen në një botim të veçantë të revistës shkencore të fakultetit të shkencave të edukimit të Universitetit Bedër, BJES.