Programi Bachelor në Psikologji Këshillimi dhe Pedagogji është projektuar t’u ofrojë studentëve një formim intelektual dhe profesional të aplikuar në fushën e psikologjisë së këshillimit dhe të pedagogjisë. I vecantë në llojin e tij në mesin e programeve të studimit të ofruara nga institucionet e arsimit të lartë në Shqipëri, programi i pajis studentët me njohuri teorike dhe kritike në fushën e shkencave psikologjike, sociologjike dhe pedagogjike dhe i përgatit ata të aplikojnë parimet e psikologjisë klinike dhe të këshillimit për të diagnostikuar dhe trajtuar problemet me sjelljen e individëve dhe për të qenë kontributorë të denjë në shërbimin psikologjik në shkolla. Me një kurrikul, mësimdhënie dhe infrastrukturë bashkëkohore, programi sjell risi në mënyrën e aftësimit dhe të përgatitjes së studentëve nëpërmjet gërshetimit të përgatitjes akademike dhe asaj profesionale në fushën e psikologjisë dhe pedagogjisë.
Programi Bachelor në profilin Psikologji Këshillimi dhe Pedagogji zhvillohet në tre vite akademike, përkatësisht në gjashtë semestra. Studentët në përfundim të këtij cikli studimesh duhet të kenë 180 kredite për të fituar të drejtën e marrjes së diplomës “Bachelor në Psikologji Këshillimi dhe Pedagogji”.
Kohëzgjatja e Studimeve dhe kreditet ECTS
Programi Bachelor në profilin Psikologji Këshillimi dhe Pedagogji zhvillohet në tre vite akademike, përkatësisht në gjashtë semestra. Në përfundim të këtij cikli studimesh dhe për të fituar të drejtën e marrjes së diplomës “Bachelor në Psikologji Këshillimi dhe Pedagogji” studentët duhet të kenë 180 kredite ECTS.
Titulli i Diplomës
Bachelor në Psikologji Këshillimi dhe Pedagogji
Objektivat e Programit
Ndër objektivat kryesorë të programit mund të përmendim pajisjen e studentit me njohuri, aftësi dhe përvojë në drejtime të ndryshme të disiplinës së psikologjisë dhe pedagogjisë, duke përfshirë: zhvillimin njerëzor, psikologjinë sociale, pedagogjinë dhe këshillimin; pajisjen e tyre me aftësi profesionale, me formim qytetar të përgjithshëm, me aftësi bazë për punë kërkimore, me aftësi të përgjithshme praktike dhe të zbatuara dhe me aftësi për promovim personal. Ky program është i ndërtuar në mënyrë të tillë që nëpërmjet përthellimit në shkencën e sjelljes dhe të mendjes njerëzore, të nxisë studentët të vlerësojnë në mënyrë kritike dhe analitike çështje të përditshme të ndërlikuara.
Programi synon arritjen e niveleve më të larta të dijes akademike, kompetencave dhe njohurive të zbatuara për studentët, duke u mundësuar atyre përshtatjen me kërkesat e tregut të punës, që të ndihen të përmbushur nga ana personale dhe profesionale dhe të formësohen si qytetarë të denjë të një shoqërie të përbotshme dhe në ndryshim. Programi synon të përgatisë psikologë këshillimi që kanë njohuri dhe aftësi bazë mbi aspektet zhvillimore sociale, emocionale, mendore dhe kognitive dhe mbi patologjitë e mendjes njerëzore dhe parimet e këshillimit.
Rezultatet e programit
Në përfundim të programit studentët do të:
Ø Zotërojnë aftësi për t’u përfshirë në kërkim të pavarur shkencor, në drejtimin e kërkimit shkencor dhe në vlerësimin e kërkimit shkencor për përmirësimin e mirëqenies personale e sociale të këndvështrimeve pedagogjike dhe të praktikës së edukimit.
Ø Zotërojnë këndvështrime psikologjike/pedagogjike që kontribuojnë në mirëqënien personale e sociale të individëve dhe grupeve dhe në promovimin e aftësive dhe të kapaciteteve për progres arsimor e zhvillim personal.
Ø Zotërojnë këndvështrime psikologjike/pedagogjike moderne që kontribuojnë në aftësimin për të luajtur rol drejtues në përhapjen e dijes pedagogjike përmes mësimdhënies, të trajnimeve dhe të dijes psikologjike përmes kryerjes së shërbimeve psikologjike dhe të këshillimit.
Mundësi Punësimi
Pas përfundimit të studimeve në Departamentin e Shkencave të edukimit, programi Bachelor Në Psikologji Këshillimi dhe Pedagogji studentët:
-Mund të punësohen si psikologë këshillimi, psikologë shkollorë, punonjës të shërbimeve psikologjike në institucione publike dhe private, organizma vendas dhe të huaj, qendra shëndeti publike dhe qendra spitalore.
-Mund të ofrojnë shërbime të specializuara psikologjike në qendra rehabilitimi për persona me aftësi të kufizuar
-Mund të përfshihen në fushën e mësimdhënies në profilin Psikologji dhe Pedagogji në arsimin parauniversitar, si dhe në mësimdhënien dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë , kjo pasi të kenë kryer të paktën ciklin e dytë të studimeve.