Më datë 08 Qershor 2016 në ambjentet e Universitetit “Hëna e Plotë” Bedër, fakulteti i Filologjisë dhe Edukimit, departamenti i Shkencave të Edukimit organizoi Workshopin e 3-të të Shkencave të Edukimit IWES 2016, me temë "Perspektiva të zhvillimit të kurrikulave në programet e formimit për mësues dhe roli i arsimit të lartë". Në këtë workshop morën pjesë dekanë dhe lektorë të Fakulteteve të Edukimit dhe të Fakulteteve të Shkencave Sociale, specialistë dhe kontribues në fushën e hartimit dhe zhvillimit të kurrikulave të formimit të mësuesisë në arsim parashkollor dhe fillor nga universitete të ndryshme të vendit.
Pjesë e këtij workshopi ishte një panel me prezantime të kontributeve të pjesëmarrësve mbi çështjen e zhvillimit dhe reformimit të kurrikulave të formimit të mësuesve, qasjet që duhen adoptuar për të reformuar kurrikulat e formimit paraprak të mësuesve në arsimin fillor dhe parashkollor me qëllim përgatitjen e studentëve në përputhje me kërkesat e tregut, dhe prezantime mbi rolin që mund të luajnë institucionet e arsimit të lartë publik dhe privat në këtë proces reformimi. Gjithashtu, workshopi mori formën e një tryeze diskutimi dhe konsultimi mes aktorëve të interesuar, specialistëve të arsimit, përfaqësuesve politikbërës dhe profesoratit të fakulteteve të Shkencave të Edukimit dhe të Shkencave Sociale. Workshopi përfundoi me një numër rekomandimesh dhe mundësish për të realizuar takime të tjera si vazhdimësi e diskutimeve rreth këtyre problematikave në arsimin shqiptar.