“Terapia në çift dhe teknikat e menaxhimit të konflikteve”

Në vazhdim të serisë së aktiviteteve që organizon Departamenti i Shkencave të Edukimit për formimin profesional të studentëve, e ftuar ishte Dr. Greta Hysi, e cila zhvilloi një seminar të hapur në fushën e menaxhimit të konflikteve dhe implikimet për terapinë në çift.

Dr. Hysi, si një specialiste në fushën e psikologjisë klinike dhe marrëdhënieve në çift, ndau me studentët aspekte teorike dhe studime në lidhje me mënyrat se si konfliktet ndërpersonale intime ndikojnë jo vetëm në shëndetin tonë psikologjik, por edhe në manifestimin e simptomave dhe diskomfortit fiziologjik.

Gjatë seminarit u prezantua edhe një studim i realizuar së fundmi në Shqipëri me çifte në dekadën e parë të martesës për të hulumtuar rreth mënyrës së tyre të menaxhimit të konflikteve dhe psikosomatikës. Rezultatet konfirmojnë se shëndeti mendor dhe fizik ndikohen drejtpërdrejt nga aftësia e partnerëve për të menaxhuar me efikasitet konfliktet në çift, sidomos nga profili dominues i menaxhimit të konflikteve, që mund të jetë akomodues, bashkëpunues, etj.