Delegacioni evropian zhvillon vizitë në Kolegjin Universitar Bedër

Një delegacion evropian i përbërë nga drejtues të Këshillave Ndërfetarë të Evropës (Religions for Peace Europe) zhvilloi një vizitë zyrtare në Kolegjin Universitar Bedër.

Ata u pritën nga rektori i Universitetit Bedër Prof. Dr. Gjergji Sinani, i cili e  vlerësoi këtë vizitë si kuptimplotë për arsyen se liderët e Këshillave Ndërfetarë evropianë kanë zgjedhur këtë vit pikërisht Shqipërinë për zhvillimin e takimit vjetor të tyre, i cili u mbajt gjithashtu në ambientet e KU Bedër. Në pritjen e zhvilluar në sallën e senatit morën pjesë gjithashtu zv/rektori Dr. Isa Erbaş, lektorë nga Departamenti i Shkencave Islame, drejtues nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë dhe përfaqësues nga Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë.

Delegacioni evropian kryesohej nga Dr. Luigi de Salvia, Presidenti i Këshillave Ndërfetar të Evropës (RfP Europe), si dhe Prof. Dr. Joan Hernandez Serret, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit Ndërfetar të Europës (Religions for Peace Europe) dhe Prof. Asoc. Dr. Genti Kruja, zv/president i Këshillave Ndërfetarë të Europës dhe njëkohësisht lektor në Kolegjin Universitar Bedër.

Delegacioni evropian përbëhej nga presidentët dhe drejtues të këshillave ndërfetarë të Shqipërisë, Gjermanisë, Bullgarisë, Britanisë së Madhe, Holandës, Spanjës, Italisë dhe Belgjikës, pjesë e Bordit Drejtues të Këshillit Ndërfetar të Europës (European National Interreligious Bodies - Religions for Peace Europe).